Kontrolle intensive, bazuar në analizën e riskut, për kapjen e personave në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për vjedhje me dhunë, kapen në Morinë dy shtetas kosovarë, të dënuar me nga 15 vite burg secili.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, në kuadër të operacionit “Wanted”, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimi dy shtetas kosovarë, konkretisht:
G. M., 22 vjeç, dhe F. B., 24 vjeç, të dy banues në Vushtrri, Kosovë.
Këta shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Erfurtit, Gjermani, më datë 01.06.2026, i ka dënuar me nga 15 vite burgim secilin, për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal Gjerman.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, Gjermani, vijon punën për finalizimin e ekstradimit të këtyre shtetasve drejt Gjermanisë.
