Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Dibër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Maqellara”. Kapet dhe ndalohet një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Vjedhje me armë”. Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Interforzën italiane Strukturat e DVP Dibër, krahas punës për monitorimin e zbatimit të masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që qarkullojnë me armë dhe atyre të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar. Në këtë kuadër, shërbimet operacionale të DVP Dibër, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Interforzën italiane pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “Maqellara”, duke bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së një personi në kërkim. Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në Njësinë Administrative Maqellarë, i shtetasit Ervis Murra alias Ervis Manna, 31 vjeç, banues në Shupenzë, Dibër. Kapja dhe arrestimi i tij i përkohshëm u bë pasi shtetasi i lartpërmendur është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit në Perugia/ Itali, më datë 29.09.2017, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me armë”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Vijon kontrolli i territorit, për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Hapi lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ, mbante armë zjarri pa leje në lokal, arrestohet në flagrancë një 44-vjeçar. Sekuestrohet një armë zjarri “Beretta”. Një ditë më parë u arrestua një tjetër shtetas që qarkullonte me armë zjarri me vete. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për përmbushjen e detyrave funksionale, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara në territor, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që kishte hapur lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ dhe se në lokal kishte dhe armë zjarri, pas në një pune të mirëorganizuar arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 44 vjeç, banues në Durrës. Pas kontrollit të ushtruar në lokalin e tij në lagjen nr. 18, Durrës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip “Beretta” dhe një krehër me 4 fishekë. Gjithashtu u mor masë administrative sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7, për subjektin “Bar Kafe” në administrim të shtetasit E. L., i cili u konstatua i hapur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënimi me burgim deri në 7 vjet.
Vlorë – Tenton të fusë lëndë narkotike për djalin e saj, në ambientet e paraburgimit, vihet në pranga nga Policia. Ditën e djeshme, në ambientet e paraburgimit IEVP Vlorë, shtetasja S. S. ka shkuar për t’i dërguar disa ushqime djalit të saj, i cili vuan dënimin për vepër penale në fushën e narkotikëve. Pas kontrollit të ushtruar, mes ushqimeve është gjetur një sasi lënde narkotike prej 100 gr., e dyshuar cannabis sativa. Menjëherë, në vijim të veprimeve është arrestuar në flagrancë 62-vjeçarja S. S., me banim në Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar dhe 66 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Kukës; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 15 raste të ndërtimit pa leje, 5 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Vlorë, 4 në Lezhë, 1 në Vlorë dhe 2 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë
Është evidentuar 1 rast aksidenti në të gjithë vendin, me 1 të lënduar.
Është evidentuar një rast i armëmbajtjes pa leje, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 8 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Kukës.
Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.