Durrës/Ceremoni përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të rënies në krye të detyrës, të punonjësit të Policisë së Shtetit Benedik Brahja

Durrës

Ceremoni përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të rënies në krye të detyrës, të punonjësit të Policisë së Shtetit Benedik Brahja.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, me rastin e 30-vjetorit të rënies në krye të detyrës të punonjësit të Policisë Benedik Brahja, ka zhvilluar në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Durrësit, një ceremoni përkujtimore për të nderuar veprën dhe sakrificën sublime të tij.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, familjarë dhe të afërm të Dëshmorit të Policisë.

Gjatë ceremonisë, ata vendosën kurora me lule dhe nderuan me një minutë heshtje kujtimin e tij.

Akti sublim i efektivit Benedik Brahja, si dhe i Dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit të rënë ndër vite, përbën një motiv më shumë për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për të vijuar me vendosmëri punën dhe përpjekjet, për garantimin e rendit dhe sigurisë në shërbim të komunitetit.

I përjetshëm kujtimi i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit!