Korçë
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe plagosi me thikë një 19-vjeçar, kapet pas disa orësh ndjekjeje nga Policia.
Sekuestrohen thika e përdorur në konflikt, një sasi lënde narkotike kanabis dhe një armë sportive që përdorej me sfera.
Në lagjen nr. 4, Korçë, gjatë një konflikti, shtetasi R. I., 23 vjeç, banues në Korçë, dyshohet se ka plagosur me thikë, në këmbë, shtetasin M. A., 19 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në DVP Korçë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit R. I., 23 vjeç, banues në Korçë. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan thikën e përdorur gjatë konfliktit, një sasi lënde narkotike kanabis dhe një objekt në formë pistolete, në ngjyrë të zezë, që përdorej me sfera.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

