Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Janë kapur 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 7 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe kokainë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, me 13 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Tiranë/U arrestua shtetasi E. C., 37 vjeç, pasi dyshohet se dje, në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”, gjatë një konflikti për motive të dobëta në ambientet e jashtme të një lokali, ka plagosur me mjet prerës shtetasin K. B., 34 vjeç, i cili po merr mjekim në spital.

Tepelenë/U ndalua për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” shtetasi A. Gj., 45 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë administrator në subjektin (fabrikë), ku më datë 19.10.2026 dyshohet se u rrëzua aksidentalisht nga skela, gjatë punës, shtetasi italian R. Ch., 39 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. A., 46 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, pasi gjatë punës në këtë subjekt dyshohet se ka ushtruar forcë mbi skelën ku qëndronte shtetasi R. Ch. dhe, për pasojë, ky i fundit është rrëzuar.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 7 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Lezhë/U procedua penalisht shtetasi P. N., 78 vjeç, banues në Ishull Lezhë, pasi dyshohet se një ditë më parë ka vendosur lëndën plasëse në çatinë e magazinës në pronësi të shtetasit B. Sh., në Ishull Lezhë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 8 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 2 raste, me të njëjtin autor, i cili po procedohet në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

U proceduan penalisht 4 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

U proceduan penalisht 3 shtetas për mosbindje ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë.

U arrestua 1 shtetas që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe u proceduan penalisht 4 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 5 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit, dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim të dokumenteve, kontrabandë të mallrave dhe fshehje të të ardhurave.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.