Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 2 operacione, në Tiranë dhe në Lezhë, për goditjen e kontrabandës së mallrave dhe kapjen e shtetasve që qarkullojnë me mjete/sende të kundërligjshme.

Janë kapur 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe kokainë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë.

Tiranë/ U arrestua një 29-vjeçar, pasi dyshohet se, për motive të dobëta, ka goditur me thikë një 25-vjeçar, në rrugën “Orhan Pojani”. I dëmtuari po merr mjekim në spital.

Gjithashtu, u procedua penalisht një 33-vjeçar, pasi dyshohet se, në ambientet e një spitali, ka goditur me shkop një shtetase (gazetare), e cila është jashtë rrezikut për jetën. Sipas kallëzimit, autori i dyshuar nuk e kishte kuptuar se ajo ishte gazetare.

Shëngjin/ U kap dhe u vu në pranga shtetasi N. N., 65 vjeç, i cili u shpall në kërkim një ditë më parë, pasi dyshohet se goditi me thikë shtetasin A. M., 50 vjeç, banues në Lezhë, i cili vijon të marrë mjekim në Spitalin e Traumës.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 5 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Tiranë/Në vijim të veprimeve hetimore për tubimin e zhvilluar dje, u arrestuan në flagrancë 68 shtetas dhe u proceduan penalisht 22 të tjerë, të dyshuar për goditjen me gurë dhe sende të forta të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike e private.

Shkodër/ U arrestua shtetasi S. B., 19 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit në rrugë, iu gjetën disa shishe me lëndë djegëse, të dyshuara si molotovë, që dyshohet se do t’i përdorte gjatë tubimit. Gjithashtu, ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë gjatë ndalimit.

U procedua penalisht edhe shtetasi S. O., 23 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka publikuar në “TikTok”, 2 video në të cilat bën thirrje për veprime të dhunshme gjatë tubimeve.

Durrës/U procedua penalisht shtetasi N. P., 47 vjeç, banues në Durrës, i cili, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se gjatë tubimit të datës 15.10.2026, në qytetin e Durrësit, ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, ka dëmtuar institucione shtetërore, pronë publike dhe private, si dhe ka djegur kosha mbeturinash dhe penguar qarkullimin e automjeteve.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Pukë/ U arrestua shtetasi P. P., 52 vjeç, pasi dyshohet se është konfliktuar me një familjar të tij në një lokal në Fushë-Arrëz, ka dëmtuar pajisje dhe produkte në lokal, si dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për t’u shoqëruar.

Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, u proceduan penalisht 2 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

U procedua penalisht 1 shtetas i dyshuar për ngacmim seksual, si dhe u proceduan penalisht 3 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetase në kërkim, si dhe proceduan penalisht 1 shtetas, i cili u kap duke transportuar me automjet (taksi) 3 shtetas filipinezë, që synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.