Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe i kontrolleve në terren, janë finalizuar 3 operacione në Tiranë, Shkodër dhe Dibër, për kapjen/ndalimin e personave të shpallur në kërkim dhe për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit.
Janë kapur/ndaluar 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe është sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë.
Në Tiranë, u arrestua shtetasi A. V., 55 vjeç, pasi në fshatin Bilaj, pas një konflikti për motive pronësie, ka goditur me mjet prerës mbesën e tij, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Po në Tiranë, u shpall në kërkim një 37-vjeçar, pasi dyshohet se ka goditur me mjet prerës një 28-vjeçar, në zonën e sheshit “Karl Topia”. I dëmtuari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në Lushnjë, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit I. B., 21 vjeç, banues në Kavajë, dhe M. S., 34 vjeç, banues në Lushnjë, pasi, në përfundim të ndeshjes së futbollit Lushnja–Vllaznia, në ambientet e brendshme të stadiumit “Roza Haxhiu”, janë konfliktuar verbalisht dhe e kanë shtyrë me duar arbitrin kryesor të ndeshjes.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorëve.
Tiranë/Në vijim të veprimeve hetimore për tubimin e zhvilluar dje, u arrestuan në flagrancë 27 shtetas dhe u proceduan penalisht 27 të tjerë, të dyshuar për goditjen me gurë dhe sende të forta të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike e private. Gjatë tubimit u dëmtuan 37 punonjës të Policisë.
Në Vlorë, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 17 shtetas për shkatërrim prone dhe prishje të qetësisë publike, gjatë tubimeve të zhvilluara dje.
Në Shkodër, u proceduan penalisht 2 shtetas për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve kundër mjedisit, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste në fushën e vjedhjes, me 1 autor të arrestuar dhe 1 autor të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 5 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 4 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia Kufitare ka arrestuar 2 shtetas për kontrabandë mallrash, si dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi automjeti që drejtonte rezultonte i vjedhur në Madrid, Spanjë.
Në Vlorë, dje, rreth orës 12:45, është larguar nga ambientet e Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” shtetasi A. D., 50 vjeç, banues në Gjirokastër, pacient në këtë spital. Punohet për gjetjen e tij.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:10, punonjësit e një televizioni në administrim nga shtetasi E. M, kanë njoftuar Sallën Operative të DVP Tiranë se kishin gjetur një pako të dyshimtë në tarracën e godinës, në Rrugën e Vilave, në Lundër. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe njësia antieksploziv e Renea-s, të cilët kanë konstatuar se brenda pakos ndodhej një granatë e vjetër, me kapsollë mekanike. Ekspertët e Njësisë antieksploziv bënë shpërthimin e kontrolluar. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
