Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit
Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 3 operacione në Vlorë, Berat dhe Elbasan, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe zbardhjen e vjedhjeve.
Janë kapur 4 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 15 raste të tjera, me 2 shtetas të arrestuar dhe 12 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. U arrestua një 29-vjeçar dhe u shpall në kërkim një 27-vjeçar, pasi dje, në fshatin Kasallë, Tiranë, 27-vjeçari dyshohet se ka kanosur me armë zjarri një 43-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërsa 29-vjeçari dyshohet se ka përkrahur autorin dhe nuk ka kallëzuar për rastin. Punohet për kapjen e 27-vjeçarit dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
U proceduan penalisht dy shtetas 16-vjeçarë, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, pa shkaktuar dëmtime apo pasoja të tjera.
Gjithashtu, po punohet për kapjen e një 19-vjeçari, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur, në Tiranë, para 4 muajsh, si dhe për kapjen e një 46-vjeçari, pasi një shtetase 14-vjeçe ka kallëzuar se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të, në fshatin Qeparo.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 15 raste, me 5 shtetas të arrestuar, 1 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 6 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 13 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 13 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast. Punohet për identifikimin e autorëve.
DVP Korçë/U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. T., për veprat penale “Përndjekja”, “Ndërhyrja pa të drejtë në jetën private” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, pasi dje, në DVP Korçë, ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi E. I.
Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
U proceduan penalisht 7 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, njëri prej të cilëve nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë.
U proceduan penalisht 2 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.
U arrestua 1 shtetas që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe u proceduan në gjendje të lirë 16 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Interpol Tirana/U kap në PKK Morinë, në hyrje të RSh-së, shtetasi I. K., 44 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern, Zvicër, sepse Gjykata e Kantonit të Zyrihut, Zvicër, me vendimin e datës 06.11.2024, e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprat penale “Pastrimi i parave”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Janë regjistruar dy raste të largimit nga banesa, të dy shtetasve 28 dhe 47 vjeç, dhe një rast i largimit nga spitali psikiatrik, i një pacienti 38 vjeç. Punohet për gjetjen e tyre.
Është evidentuar një rast i vetëvarjes së një 19-vjeçareje, një rast i humbjes së jetës së një 91-vjeçari, në mënyrë aksidentale, si dhe një rast i dëmtimit të një 75-vjeçareje, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
