Pogradec/Policia Kufitare shpëton një shtetase të mitur që tentoi të mbytej në liqen

Pogradec

Policia Kufitare shpëton një shtetase të mitur që tentoi të mbytej në liqen.

Shërbimet e Policisë reaguan me shpejtësi dhe me profesionalizëm, duke bërë të mundur nxjerrjen në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, të 17-vjeçares me probeme të shëndetit mendor.

Pas marrjes së njoftimit se një shtetase e mitur kishte hyrë në liqen, shërbimet e SPK Pogradec kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Pasi kanë konstatuar 17-vjeçaren, shërbimet e Policisë i kanë kërkuar që të afrohej te mjeti i Policisë Kufitare, po ajo ka refuzuar. Në këto kushte, inspektori i Policisë M. D. është hedhur në ujë, ka marrë në krah 17-vjeçaren dhe e ka nxjerrë në breg.

Shtetases së mitur iu dha ndihma e parë dhe më pas iu dorëzua familjarëve.

Qytetarët e pranishëm në breg të liqenit dhe familjarët e 17-vjeçares falënderuan shërbimet e Policisë, për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.

Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve dhe fton këdo që ka nevojë, të telefonojë në numrin pa pagesë 112.