Fier/ Monitorim intensiv me pajisje inteligjente në akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse, me objektiv parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut. 🚔
Gjatë kësaj jave, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për rritjen e sigurisë rrugore, janë proceduar penalisht 8 shtetas për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor.
Nga këta, 2 shtetas janë arrestuar për drejtim të automjetit në gjendje të dehur, ndërsa 5 shtetas të tjerë janë proceduar për drejtim të mjetit pa leje drejtimi, konkretisht 1 i arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, është proceduar penalisht 1 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë aksidentin.
Në kuadër të kontrolleve parandaluese, të organizuara me grupe kontrolli në rrugët urbane, interurbane dhe lokale, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej:
• 909 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë, në rrugët interurbane dhe në autostradën A2;
• 41 masa administrative për mospërdorimin e rripit të sigurimit;
• 3 masa administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
• 50 masa administrative për parakalim të gabuar;
• 7 masa administrative për drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit;
• 119 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim potencial për aksidente.
Vijojnë kontrollet për mjetet që kryejnë transportin e nxënësve, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre gjatë lëvizjes.
Policia Rrugore Fier apelon sërish për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, si një kontribut i rëndësishëm në rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt, të lirë dhe pa pengesa.
