Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 6 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, për zbardhjen e vjedhjeve dhe për kapjen e shtetasve në kërkim, ndërsa 1 në bashkëpunim me homologët, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Janë kapur 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 22 raste, me 5 shtetas të arrestuar dhe 18 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, me 13 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjirokastër/ U arrestua shtetasi J. F., banues në Fier, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi ka marrë për të bërë punime në banesën e djalit të tij, në lagjen “Varosh”, shtetasin A. N., 64 vjeç, banues në Dimal, i cili gjatë punës dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga kati i dytë i banesës dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 9 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 1 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i vjedhjes me dhunë të një varëseje floriri, 3 ditë më parë, në Durrës.

Vlorë/ Në një sipërfaqe toke në fshatin Llakatund, është gjetur i djegur plotësisht automjeti tip “DaimlerChrysler”, i vjedhur në oborrin e një banese në fshatin Llakatund, më datë 30.09.2026.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në Lushnjë, u arrestua 1 shtetas që dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur mbeturina në pronën e tij dhe, nga përhapja e flakëve, është djegur një sipërfaqe toke në pronësi të një shtetasi tjetër, ndërsa në Fier u procedua penalisht 1 shtetas që dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur mbeturina në tokën e tij dhe, nga përhapja e flakëve, është djegur një sipërfaqe e madhe toke me bimësi të egër.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Janë arrestuar 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 8 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

U proceduan penalisht 4 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, dhe po punohet për kapjen e 1 shtetasi që nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe është larguar nga vendi i aksidentit.

U procedua penalisht 1 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

U proceduan në gjendje të lirë 16 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Korçë/ Në lidhje me një video të publikuar dje në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetas që mban në dorë një mace të ngordhur, bëjmë me dije se u identifikua dhe u procedua penalisht shtetasi Dh. V., i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.