📍Lezhë/Vijojnë takimet e drejtuesve të Policisë së Lezhës me drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve, në zbatim të prioriteteve të Policisë së Shtetit, për garantimin e sigurisë së nxënësve.
Zhvillimi i këtyre takimeve ka në fokus krijimin e një mjedisi të qetë e të sigurt brenda dhe jashtë institucioneve arsimore.
Në këto takime morën pjesë zëvendësdrejtori për Sigurinë dhe Rendin Publik i DVP Lezhë Arben Nasufi dhe shefi i Komisariatit të Policisë Lezhë Arben Sulaj, së bashku me specialistë të Komisariatit të Policisë Lezhë të ngarkuar me detyra për përmbushjen e këtyre prioriteteve.
Gjatë takimeve u diskutuan masat konkrete për parandalimin e çdo konflikti apo problematike, forcimin e bashkëpunimit mes strukturave të Policisë dhe stafeve shkollore, si dhe reagimin e menjëhershëm ndaj çdo situate që përfshin nxënësit.
Policia e Lezhës do të vijojë takimet e drejtpërdrejta me institucionet arsimore në të gjithë qarkun, në funksion të garantimit të sigurisë së nxënësve dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor.

