Memaliaj
Kapet në flagrancë, në afërsi të vatrave të zjarrit që dyshohet se ndezi në fshatin Vasjar, një shtetas i arrestuar edhe më parë nga Policia, për të njëjtin krim.
Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 4000 m² sipërfaqe toke.
Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për parandalimin e rasteve të zjarrvënies, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj vunë në pranga shtetasin Q. Sh., 76 vjeç, banues në fshatin Vasjar.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, shtetasi Q. Sh. u kap në flagrancë mbrëmë, në afërsi të vatrave të zjarrit që dyshohet se ndezi në sipërfaqen e tokës që kishte me qira dhe në sipërfaqe toke pronë shtetërore, në vendin e quajtur “Gropa e Dardhës”, me qëllim pastrimin e tyre.
Si pasojë u dogjën rreth 4000 m² sipërfaqe toke (pyje, kullota dhe sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon në mënyrë të përsëritur, për të gjithë qytetarët që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën, shëndetin dhe pronën e tyre. Veçanërisht, Policia apelon për banorët që djegin mbetje apo synojnë të pastrojnë sipërfaqet e tokave nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve dhe sjellin pasoja penale sipas parashikimeve ligjore.
