DVKM Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Transit”

DVKM Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Transit”, goditet një rast i dhënies ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Arrestohet 1 shtetas, i cili u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, duke transportuar me automjet, kundrejt pagesës, 16 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në Malin e Zi.

Sekuestrohet automjeti i marrë me qira.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Transit”.

Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi B. L., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në fshatin Alijaj, duke transportuar me një automjet që e kishte marrë me qira, 16 emigrantë nga Vendet e Treta (9 nga Afganistani, 5 nga Somalia, 2 nga Bangladeshi), që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në territorin e Malit të Zi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.