Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 8 operacione, në Kukës, Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Korçë, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, mashtrimit, dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve.

Janë kapur 4 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 12 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, me 15 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Po punohet për kapjen e shtetasit F. Y., 43 vjeç, pasi dyshohet se më datë 26.09.2026, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase dhe i ka vjedhur një shumë parash.

U arrestua shtetasi M. S., 60 vjeç, mësues në një shkollë në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, me mesazhe, një nxënëse 13 vjeçe.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 7 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

U arrestua në flagrancë 1 shtetas, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Gurrë e Madhe, Tiranë, për të djegur mbeturinat e tokës dhe, nga përhapja e flakëve, janë djegur rreth 140 pemë ulliri dhe janë rrezikuar banesat.

Gjithashtu, u proceduan penalisht 3 shtetas të dyshuar për zjarrvënie, në 3 fshatra të Fierit dhe Divjakës.

U arrestua 1 shtetas, pasi dyshohet se ka thyer xhamin e derës së godinës së OShEE-së, Librazhd, dhe ka fyer drejtuesin e këtij institucioni, gjatë komunikimit në celular.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 9 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

U arrestua 1 shtetas, u proceduan penalisht 3, u shpall në kërkim 1 dhe po punohet për identifikimin e një tjetri, pasi dyshohet se ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

U arrestua 1 shtetas i dyshuar për ngacmim seksual dhe u proceduan penalisht 5 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 2 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 2 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë, posedim të lëndëve narkotike dhe armëve të ftohta.

Tiranë/ Ka kallëzuar një shtetase se i është larguar nga banesa vajza e saj 14 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.