Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier
Në lidhje me një video të publikuar në emisionin investigativ “Stop”, në të cilën shfaqet një subjekt rrobaqepësie, në lagjen “Kastriot”, Fier, ku prodhoheshin, me porosi, bluza të punonjësve të zjarrfikëses, si dhe stema dhe numra identifikues të punonjësve të Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer verifikimet përkatëse.
Në përfundim të verifikimeve, u shoqërua dhe u procedua penalisht shtetasja R. M., rrobaqepëse dhe pronare e këtij subjekti, për veprën penale “Shkelja e të drejtave të autorit”.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan disa stema, numra identifikues dhe bluza të punonjësve të zjarrfikëses.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon emisionin “Stop” për informacionin e përcjellë dhe fton mediat dhe qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke garantuar verifikimin dhe trajtimin e çdo informacioni të përcjellë.
