Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, në Kurbin është finalizuar 1 operacion i ndjekur me metoda proaktive, si rezultat i të cilit u kapën dhe u ndaluan 3 shtetas në kërkim (babai dhe djemtë), të dyshuar për kultivimin e 250 bimëve narkotike, në Kurbin.
Janë kapur 8 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, ndërsa 2 të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Njërit prej këtyre të fundit, në momentin e ndalimit, iu gjet një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa në banesë iu gjet lëndë e dyshuar plasëse, e cila do t’i nënshtrohet ekzaminimeve laboratorike të mëtejshme.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 19 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 8 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe kokainë, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në Tiranë/U arrestuan:
-një 33-vjeçar, pasi dyshohet se, për rreth 2 muaj, ka përndjekur ish-të dashurën, të cilën, më datë 17.09.2026, dyshohet se e ka marrë me forcë në automjet, ku e ka dhunuar dhe kanosur. Dje, dyshohet se 33-vjeçari ka kanosur punëdhënësin e kësaj shtetaseje, për ta hequr atë nga puna;
-një 43-vjeçar, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij dhe i ka kanosur me mjet prerës.
Has/U procedua penalisht një 17-vjeçar, pasi dyshohet se, gjatë lojës në oborrin e gjimnazit në qytetin e Krumës, është konfliktuar fizikisht me shokun e klasës, të cilin e ka gërvishtur me mjet të vogël prerës (biçak), i cili mori mjekim dhe u largua në banesë.
Veprimet janë kryer në prani të prindërve dhe psikologut. Rasti, përveçse ligjërisht, është trajtuar edhe me prindërit e dy të miturve, si dhe me stafin pedagogjik.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 9 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tiranë/U arrestua një 54-vjeçar, pasi dyshohet se, me automjetin që drejtonte, ka goditur murin rrethues të një banese. Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se ka dhunuar pronaren e banesës dhe nuk i është bindur urdhrit të shërbimeve të Policisë Rrugore për kryerjen e testit të alkoolit.
Në Vlorë dhe në Rrogozhinë u proceduan penalisht 2 shtetas, të dyshuar për 3 raste të zjarrvënies. Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe toke dhe ullishte, në pronësi të shtetasve të tjerë.
Sarandë/Gjatë natës, në banesën e një shtetasi në fshatin Shelegar, dyshohet se janë vjedhur një shumë parash dhe bizhuteri floriri. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 13 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 10 raste, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, u evidentua një rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të proceduar.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
U arrestua 1 shtetas dhe u procedua penalisht 1 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe u procedua penalisht 1 tjetër, pasi është larguar nga vendi i aksidentit.
Gjithashtu, u procedua penalisht 1 shtetas, pasi dje, në autostradën “Tiranë-Durrës”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe, si pasojë, automjeti është përplasur me trafikndarësen. Nga aksidenti u dëmtuan 4 shtetas, 3 prej të cilëve morën mjekim dhe dolën nga spitali, ndërsa 1 vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
U proceduan penalisht 2 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë/kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik.
U arrestuan 1 shtetas që posedonte armë të ftohtë dhe 1 shtetas i dyshuar për ngacmim seksual, si dhe u proceduan penalisht 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 8 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kontrabandë mallrash dhe posedim të lëndëve narkotike/armëve të ftohta.
Divjakë/Po punohet për gjetjen e shtetasit T. R., 22 vjeç, pasi ka kallëzuar babai i tij se ai është larguar nga banesa, më datë 16.09.2026.
Vlorë-Informacion paraprak/ Rreth orës 01:20, në lagjen “24 Maji”, ka rënë zjarr në pjesën e përparme të automjetit në pronësi të shtetases S. N., 50 vjeçe, banuese në këtë lagje, ku paraprakisht dyshohet për shkak të një defekti në motor.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
