Policia e Shtetit
Shtyhet me një javë afati i aplikimit për Kolegjin Profesional të Policisë për Patrullë të Përgjithshme.
Nisur nga interesi i madh i të rinjve dhe të rejave për të aplikuar në Kolegjin Profesional të Policisë, si dhe nga pamundësia për të plotësuar në kohë dokumentacionin e nevojshëm për aplikim për Patrullë të Përgjithshme, Policia e Shtetit ka marrë parasysh kërkesat dhe ka vendosur të shtyjë afatin e aplikimit.
Afati i aplikimit, i cili përfundonte më datë 18 shtator 2026, shtyhet deri më datë 25 shtator 2026.
Kjo shtyrje u jep mundësi të rinjve dhe të rejave të interesuar të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe të aplikojnë për të vijuar fazat e konkurrimit për Patrullë të Përgjithshme në Policinë e Shtetit.
Policia e Shtetit falënderon të gjithë të interesuarit për dëshirën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit dhe për të kontribuar në shërbim të vendit dhe qytetarëve.
