Policia e Lezhës dhe drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve, së bashku në zbatim të prioriteteve absolute të Policisë së Shtetit, për garantimin e sigurisë së nxënësve

Drejtues të Policisë së Lezhës dhe specialistët e ngarkuar me detyra në zbatim të këtyre prioriteteve, kanë vijuar takimet koordinuese me drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve, për garantimin e sigurisë së nxënësve në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor. Këto takime fokusohen te zbatimi i prioriteteve absolute të Policisë së Shtetit për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt brenda dhe jashtë institucioneve arsimore.

Në diskutime morën pjesë Zëvendësdrejtori për Sigurinë dhe Rendin Publik Arben Nasufi dhe Shefi i Komisariatit të Policisë Lezhë Arben Sulaj, së bashku me specialistë të Komisariatit të Policisë Lezhë të ngarkuar me detyra për përmbushjen e këtyre prioriteteve.

Gjatë takimeve u shqyrtuan masat konkrete për parandalimin e çdo konflikti apo problematike, si dhe u theksua gatishmëria e plotë e efektivëve për reagim të menjëhershëm ndaj çdo situate që përfshin nxënësit.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave të rendit dhe stafeve shkollore, si pjesë e pandashme e zinxhirit të sigurisë, si dhe si element i rëndësishëm që do të mundësojë njohjen dhe ndjekjen e çdo dinamike në shkollë.

Policia e Lezhës do të vijojë këtë cikël takimesh të drejtpërdrejta me të gjitha institucionet arsimore në të gjithë qarkun, për të garantuar mbarëvajtjen e plotë të procesit mësimor.