Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, strukturave të Policisë në Korçë, Tiranë e Dibër:
“Intensifikoni punën për goditjen e grupeve kriminale, për kapjen e shtetasve që lëvizin me armë dhe drogë; kapni shtetasit në kërkim dhe luftoni krimet kufitare!”
Gjatë takimeve, Drejtor Hita vuri theksin fillimisht te siguria e nxënësve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. Për përmbushjen e këtij prioriteti absolut, Drejtori kërkoi që zbatimi i planit të masave për garantimin e perimetrit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor të monitorohet personalisht nga drejtuesit e strukturave të Policisë vendore, të cilët duhet të jenë në dijeni të problematikave dhe dinamikave që lidhen me shkollat në qarkun përkatës.
Në këtë kuadër, Drejtori kërkoi intensifikimin e kontrolleve brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, për përcaktimin dhe goditjen e elementeve që nxitin nxënësit në veprimtari kriminale.
Gjithashtu, gjatë takimeve Drejtori Hita kërkoi nga strukturat vendore dhe kufitare të Policisë:
• goditjen e krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe grupeve kriminale;
• forcimin e luftës kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, nëpërmjet hetimeve proaktive;
• përmirësimin e performancës së Policisë dhe shërbimin me etikë ndaj qytetarëve, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë;
• rritjen e sigurisë rrugore dhe përdorimin efektiv të teknologjisë, me objektiv parandalimin e aksidenteve.
Më tej, Drejtori theksoi rëndësinë e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit, si elementi kyç i përmbushjes së detyrave funksionale.
Hita u shpreh se ky besim rritet vetëm duke intensifikuar punën, angazhimin dhe burimet njerëzore, për të adresuar në mënyrë shteruese, informuese dhe zgjidhëse shqetësimet apo pretendimet e qytetarëve që i adresohen Policisë, nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes dhe adresave zyrtare të saj.
