DVKM Korçë/Finalizohet operacioni i koduar “Borders”

DVKM Korçë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Finalizohet operacioni i koduar “Borders”.

Arrestohet një 27-vjeçar, punohet për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të tij.

27-vjeçari u kap në flagrancë në fshatin Drenovë, duke transportuar me automjet, drejt Shkodrës, 11 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi.

Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 1 celular.

Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT i DVKM Korçë, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizoi dhe finalizoi operacionin e koduar “Borders”.

Në kuadër të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi J. S., 27 vjeç, banues në Tepelenë, dhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 31 vjeç, banues në Fier dhe G. H., 58 vjeç, banues në Lushnjë, të cilët dyshohet se bashkëpunonin për të ndihmuar emigrantë nga Vendet e Treta që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, duke i transportuar me automjet, kundrejt pagesës.

Shtetasi J. S. u kap nga shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, në fshatin Drenovë, Korçë, duke transportuar me automjet drejt Shkodrës, 11 shtetas të huaj (10 nga Bangladeshi, 1 nga Pakistani), të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri, nga Kapshtica, dhe synonin të kalonin ilegalisht në Malin e Zi.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.