Kompania Gjirofarm, donacion për Policinë e Tiranës

Gjeste të vogla, për të përcjellë mesazhe të mëdha.

Një tjetër donacion ka ardhur për Policinë e Tiranës, kësaj here nga kompania Gjirofarma, e cila shpërndau paketa me produkte të shportës, për disa familje të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës dhe punonjës të Policisë që kanë fëmijë me probleme shëndetësore.

Njëkohësisht, Gjirofarma dhuroi për Shqiponjat dhe punonjësit e Policisë në shërbim, 50 koli me nënprodukte të qumështit.

Administratori i kompanisë, Nikolla Gjoni: “Ne jemi këtu në këto ditë të vështira për sipërmarrjen private, për të dëshmuar se ju nuk jeni vetëm, se të gjithë së bashku mund dhe do ta kapërcejmë këtë situatë kaq të vështirë, këtë pandemi që kërkon të vrasë shpresën dhe jetën. Policia është organizata që sakrifikon në çdo situatë, deri në sublim dhe është detyrë e të gjithëve ne të jemi përkrah Policisë, t’i ndihmojmë e t’i mbështesim këta djem e vajza, burra e gra që sakrifikojmë për të mirën e përbashkët. Është përgjegjësi morale dhe qytetare të jesh pranë familjarëve të të rënëve në detyrë, atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë e mbështetje, qoftë edhe morale. Dëshmorët e Policisë dhe të Atdheut janë krenaria jonë. Gjirofarma do jetë përherë përkrah Policisë dhe të gjithë atyre që mbrojnë jetën e qytetarëve, pasi ne kujdesemi për njerëzit”.

Drejtori i DVP Tiranë, Rebani Jaupi: “Ju falënderoj juve dhe të gjithë donatorët e tjerë që kanë mbështetur Policinë e Tiranës në këto ditë të vështira. Ndihma juaj sot është në dy drejtime dhe përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë donatorët që gjatë kësaj periudhe të vështirë kanë mbështetur me donacione Policinë e Tiranës. Falënderoj shumicën dërrmuese të qytetarëve që kanë respektuar masat kufizuese dhe apeloj edhe njëherë se është koha për të qëndruar në shtëpi, për distancim në rrugë, në tregje, në banka, është koha për të respektuar në maksimum çdo masë.
Askush të mos mendojë se do të tolerohet, qëllimi ynë nuk janë gjobat, është jeta e qytetarëve, por kush shkel rregullat rrezikon jetën dhe për këtë s’do të tolerojmë askënd. Të bashkëpunojmë si deri tani, që të dalim me sa më pak dëmtime nga kjo luftë me këtë armik të padukshëm, por shumë të rrezikshëm. Durim e respektim të masave, kjo kërkohet nga të gjithë”.

Policia e Shtetit, bashkë me mjekët, infermierët, forcat e armatosura, zjarrfikëset etj., mbeten në vijën e parë të frontit, për përballjen e Koronavirusit.

#QëndronëShtëpi
#Solidaritet