Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore, janë finalizuar 5 operacione, konkretisht:

-1 në Shkodër, për kapjen e një 28-vjeçari në kërkim, i akuzuar për kultivim, prodhim dhe shitje të narkotikëve;

-1 në Tiranë, për goditjen e prostitucionit. U arrestuan 3 shtetase të huaja, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prostitucioni”;

-2 në Elbasan: njëri për kapjen e një 37-vjeçari në kërkim, i cili është dënuar me 1 vit burgim për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, dhe operacioni tjetër për kapjen e një 33-vjeçari që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”;

-1 në Fier, për goditjen e armëmbajtjes pa leje. U arrestuan një 22-vjeçar, që lëvizte i armatosur me pistoletë, dhe 2 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi.

Janë kapur 5 shtetas të tjerë që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 17 raste, me 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 5 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe kokainë, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste, me 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 11 raste, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim.

U arrestua një 19-vjeçar, pasi dyshohet se i ka vjedhur me dhunë çantën e dorës një shtetaseje, në Tiranë.

U arrestua 1 shtetas, pasi dyshohet se, nga pakujdesia, ka ndezur zjarr në tokën e tij, në një fshat në Kolonjë dhe, si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke me bimësi.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 7 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 4 shtetas të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë plotësuar 16 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, u arrestuan:

-një 34-vjeçar, pasi dje, në aksin rrugor “Vorë-Fushë Krujë”, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Xh. Z., 26 vjeç, i cili, për pasojë, humbi jetën;

-një 30-vjeçar, pasi dje, duke drejtuar automjetin nën efektin e lëndëve narkotike, dyshohet se ka përplasur një automjet tjetër dhe, si pasojë, janë dëmtuar drejtuesi i këtij automjeti dhe 2 pasagjerë, të cilët morën mjekim në spital.

Është arrestuar 1 shtetas, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, dhe 1 shtetas tjetër që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Është arrestuar 1 shtetas, i dyshuar për ngacmim seksual, dhe janë proceduar në gjendje të lirë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetase në kërkim dhe proceduan penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit/trafikim të mjeteve motorike.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.

Lezhë – Dje pasdite, në fshatin Pllanë, shtetasi R. M., 71 vjeç, banues në këtë fshat, dyshohet se, kur ka qenë duke kullotur bagëtitë, është tërhequr nga litari i lopës dhe, si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën.

Materialet u referuan në Prokurori, për vlerësim.