DVP Korçë/ Kontrollet për nivelin e zhurmave dhe respektimin e orarit të aktiviteteve me muzikë vijojnë në Pogradec dhe Korçë.
Krahas kontrolleve dhe verifikimeve në terren, janë organizuar takime me pronarë dhe administratorë të subjekteve, aktivitetet e të cilave gjenerojnë zhurmë nga muzika, me qëllim ndërgjegjësimin për respektimin e kërkesave ligjore.
Gjithashtu, vijon intensivisht zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.
Shërbimet e Komisariateve të Policisë Pogradec dhe Korçë, bazuar në hartëzimin e zonave me risk për ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren. Në zbatim të ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar, janë kryer matje me pajisje të posaçme, në disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në qytetin e Pogradecit.
Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Krahas matjes së nivelit të zhurmës, janë kryer kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë, në ambiente të hapura dhe në qendra të banuara, nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Policia mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët, vizitorët dhe pushuesit.
Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje dhe çdo paligjshmëri që hasin, duke iu garantuar anonimat dhe ndërhyrje të menjëhershme, konform ligjit.
#PoliciaeKorçës #SezoniTuristik2026☀️ #QetësiDheSiguri #RespektoLigjin #NëShërbimTëQytetarëve
