Fushë Arrëz/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gurra”

Fushë Arrëz/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gurra”.

Operacioni u zhvillua pas një hetimi disa-javor, me metoda proaktive, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike.

Vihen në pranga 2 shtetas, të dyshuar si autorë të kultivimit të 355 bimëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Forcat Operacionale, në vijim të një hetimi disa-javor, të kryer me metoda proaktive, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, finalizuan operacionin policor të koduar “Gurra”.

Si rezultat i operacionit, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– E. P., 20 vjeç; dhe S. J., 50 vjeç, të dy banues në fshatin Aprip e Gurit, Fushë Arrëz.

Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se këta shtetas, në 15 parcela, në tokë publike, në fshatin Aprip e Gurit, kanë kultivuar 355 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.