Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat, janë finalizuar 3 operacione, për goditjen e shitjes së lëndëve narkotike, trafikimin e mjeteve luksoze dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, janë kapur 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve, krahas operacioneve, janë goditur 28 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 19 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 7 raste po punohet për identifikimin e autorëve. Janë sekuestruar doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe 17 të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë një 35-vjeçar, pasi mbrëmjen e djeshme, në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet të mprehtë (kaçavidë) një shtetas, i cili po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, më datë 18.08.2026, në banesën e tij, në Kamëz, dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri shtetasi L. D., 89 vjeç. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 8 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 12 raste, me 13 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 13 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi, 3 prej të cilëve nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 4 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas që nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, si dhe 39 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 2 shtetas, për mosdeklarim të shumave monetare dhe trafikim të mjeteve motorike.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
