Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat, janë parandaluar ngjarje kriminale kundër personit, që mund të kryheshin nga shtetas të armatosur, në Divjakë dhe Elbasan, si dhe është zbardhur një konflikt me përdorim të armëve në zjarrit, në Tiranë. Gjatë 6 operacioneve të finalizuara për këto raste, janë vënë në pranga 11 shtetas, si dhe janë sekuestruar 2 armë zjarri, silenciator, krehra, municion luftarak etj

Gjithashtu, janë kapur 4 shtetas të shpallur në kërkim.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 15 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar sasi/doza të lëndëve narkotike Kokainë dhe Kanabis. Për 5 nga këto raste punohet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim.
Gjithashtu:

-në Tiranë u shpall në kërkim shtetasi Xh. Rr., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë (levë hekuri), në kokë, shtetasin S. K., i cili është në kujdesin e mjekëve;

-në Kavajë u shpall në kërkim shtetasi E. L., pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin A. D., ka qëlluar një herë, në ajër, me armë zjarri. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin A. D., pasi dyshohet se gjatë të njëjtit konflikt, ka goditur me grushte, shtetasin S. R.;

-në Shkodër u shpallën në kërkim shtetasit P. N. dhe A. F., pasi dyshohet se kanë dhunuar një shtetas, për ta shtrënguar për t’iu dhënë një shumë eurosh. Nga kontrollet, në banesën e shtetasit A. F. u gjet 1 mjet prerës (thikë).

Punohet intensivisht për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në të tre rastet, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave.

2 shtetas janë arrestuar për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë dhe mbajtje pa të drejtë të uniformës, si dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për vepra të ndryshme penale.

Në Korçë u procedua penalisht 1 shtetas, pasi dyshohet se ka dhunuar gjatë ushtrimit të detyrës, një punonjës të shërbimit privat të sigurisë fizike të spitalit të Korçës.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas janë proceduar penalisht, për shkatërrim të pronës me zjarr. Për një rast tjetër në këtë fushë, po punohet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Janë evidentuar 7 raste vjedhjeje, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim. Për 2 nga këto raste, po punohet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve kundër mjedisit, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 8 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve kompjuterike/përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike. Për 1 rast është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, ndërsa për 2 të tjerat vijon puna me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve.

Janë arrestuar 7 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Njëri prej të arrestuarve në Tiranë, pas testimit me pajisjen AquilaScan, rezultoi se e drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë referuar materialet në prokurori, për 7 raste të kontrabandimit të bizhuterive, kalimit të kundërligjshëm të kufijve, kanosjes, trafikimit të mjeteve motorike dhe peshkimit të ndaluar, secili me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Ndërkaq, specialistët e Interpol Tiranës, si rezultat i bashkëpunimit me homologët, finalizuan procedurat për ekstradimin:

-nga Shqipëria, në Itali, të shtetasit Armando Valchizan alias Armando Dervishi alias Altin Dervishi alias Armando Gheorghe alias Martin Dervishi, 42 vjeç, pasi Gjykata e Pordenone, Itali, në vitin 2023, e ka dënuar me 5 vjet e 9 muaj burgim, për vjedhje në rrethana rënduese dhe emigracion të paligjshëm.

-nga Gjermania, në Shqipëri, të shtetasit nga Venezuela, G. C. Alias Y. D., 33 vjeç, i cili ishte në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Tiranë/Më datë 12.08.2026, kallëzoi shtetasi Ll. N., se djali i tij, shtetasi A. N., ishte larguar nga banesa, më datë 11.08.2026, dhe nuk përgjigjej në celular. Punohet për gjetjen e shtetasit A. N.

Kavajë/Te zona e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, dyshohet se gjatë hedhjes në pishinë, aksidentalisht, është dëmtuar në kokë një 13-vjeçar nga Rumania, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.