Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore, punës operative dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 5 aksione policore, kundër mbajtjes pa leje të armës së zjarrit dhe përndjekjes/kanosjes në rrjete sociale, si dhe për ndalimin e autorëve të një tentative për vrasje, për ndalimin e autorit të një plagosjeje të rëndë me mjet shpues dhe për parandalimin e një vjedhjeje. Gjatë këtyre aksioneve janë sekuestruar 1 armë zjarri (pistoletë) me krehër të mbushur me fishekë, një shumë parash, 2 celularë dhe 1 automjet.
Janë kapur 6 shtetas që ishin në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. 2 prej tyre janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 14 raste në të gjithë territorin, me 1 shtetas të arrestuar dhe 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar sasi dhe doza të lëndëve narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa. Për 2 nga këto raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 15 raste, me 19 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, identifikuan dhe vunë në pranga një 17-vjeçar, i cili më datë 08.08.2026, dyshohet se plagosi rëndë, me mjet shpues (kaçavidë), një 18-vjeçar. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për të dëmtuarin dhe për 2 shtetas të tjerë, pasi nuk kanë kallëzuar për krimin dhe dyshohet se kanë kryer veprime për pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Më tej, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar penalisht, për shkatërrim të pronës me zjarr.
Janë evidentuar 5 raste vjedhjeje, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar, 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 16 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve kundër mjedisit, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 8 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kompjuterike dhe përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, për të cilat po punohet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë shpallur në kërkim 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 17 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 11 shtetas dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
Gjithashtu, janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Në 4 raste, veprat penale në fushën e qarkullimit rrugor janë shoqëruar me mosbindje/kundërshtim të punonjësve të Policisë. Për këto raste u arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 3 të tjerë.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë referuar materialet në Prokurori, për një rast konflikti, një rast vjedhjeje, një rast dhune në familje, si dhe një rast trafikimi të mjetit motorik.
Informacione paraprake
Gjirokastër/ Rreth orës 00:15, në aksin rrugor “Gjirokastër-Lazarat”, automjeti me drejtues shtetasin M. D., 20 vjeç, është përplasur me një automjet tip “Benz”, me drejtues një 17-vjeçar. Si pasojë janë dëmtuar 2 drejtuesit e automjeteve dhe 2 pasagjerë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Shkodër/ Rreth orës 07:30, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i dytë i pallatit ku banonte, në lagjen “Vasil Shanto”, shtetasi H. S., 87 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Delvinë/ Rreth orës 08:00, në fshatin Bajkaj, autobusi me drejtues shtetasin V. Z., 53 vjeç, ka përplasur këmbësorin, shtetasin A. V., 64 vjeç, i cili është në gjendje të rëndë. Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e autobusit, pak minuta pas largimit nga vendi i aksidentit, dhe e kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Lezhë/ Rreth orës 08:35, në aksin rrugor “Milot-Rrëshen”, shtetasi kosovar P. S., 25 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe, si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe një pasagjer, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
