Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 3 aksione policore, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, goditjen e një rasti të ndërtimit të paligjshëm dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit të dyshuar të 2 rasteve të zjarrvënies.

Janë kapur/ndaluar 4 shtetas që ishin në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. 2 prej tyre janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 9 raste, në të gjithë territorin, me 3 shtetas të arrestuar dhe 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për këto raste janë sekuestruar sasi dhe doza të lëndëve narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, me 15 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi E. A., 19 vjeç, pasi dyshohet se, për motive të dobëta, në rrugën “Kastriotët”, Tiranë, ka dëmtuar me mjet prerës shtetasin E. L., 36 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Punohet për kapjen e 19-vjeçarit.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 9 raste, me 5 shtetas të arrestuar dhe 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/autorëve.

Ndërkaq, për 3 nga këto raste, 1 shtetas është ndaluar me iniciativë dhe 2 shtetas janë proceduar penalisht, për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr.

Janë evidentuar 11 raste vjedhjeje, me 4 shtetas të vënë në pranga, 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 4 shtetas të arrestuar dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 4 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve kundër mjedisit, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/autorëve.

Janë arrestuar 4 shtetas për posedim të kundërligjshëm të armëve të ftohta/municionit dhe/ose për kundërshtim me dhunë të punonjësve të Policisë.

Janë proceduar penalisht 15 shtetas për vepra të ndryshme penale, ndër të cilët: 9 shtetas për prishje të qetësisë publike, në 3 raste; 1 shtetas për keqtrajtim të kafshës dhe 1 shtetase për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, me pasojë dëmtimin e lehtë të një 23-vjeçareje.

Janë arrestuar 7 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Informacione paraprake

Lezhë/ Rreth orës 04:00, në fshatin Shënkoll, në portën e murit rrethues të banesës së shtetasit M. D., 73 vjeç, ka shpërthyer, dyshohet, një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Kurbin/ Rreth orës 23:55, në Laç, shtetasi S. K., 28 vjeç, banues në Laç, ka kallëzuar se, duke lëvizur në këmbë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, pa shkaktuar dëmtime.

Grupet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rasteve, identifikimin e kapjen e autorit/autorëve.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.