Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Përmet – Qarkullonte me armë zjarri me vete, por telefonata e qytetarëve e çon në pranga. Finalizohet me sukses operacioni i koduar “VINOKASHI”. Sekuestrohet një armë zjarri “Pistoletë” dhe 45 fishekë. Arrestohet në flagrancë poseduesi i armës. Në vijim të kontrolleve të ushtruara në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë si dhe mbi bazën e një telefonate nga qytetarët se një shtetas lëvizte me armë zjarri pa leje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Përmet, organizuan operacionin “VINOKASHI”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi I. V., 39 vjeç, banues në fshatin Çepunë, Gjirokastër, pasi në aksin rrugor Ballaban-Këlcyrë, në vendin e quajtur “Kthesa e Fshatit Ujëmirë”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin ky shtetas udhëtonte si pasagjer, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri (pistoletë TT) dhe 45 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, nga këta: 15 janë arrestuar në flagrancë, 59 ndiqen në gjendje të lirë, 8 janë ndaluar.
Janë kapur 4 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 i dënuar për veprat penale “Heqja e padrejtë e lirisë” dhe “Përndjekja”, 1 i dënuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Ndërhyrja pa të drejtë në jetën private”; 1 në qarkun Korçë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata dhe grupi i strukturuar kriminal”; 1 në qarkun Fier, i dënuar për veprën penale “Vjedhja”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast në Vlorë, me 1 autor të ndaluar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast në Berat dhe 1 në Fier, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja”, në qarkun Tiranë dhe 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarqet Korçë, Vlorë, Dibër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Dhuna në familje”, 2 në qarkun Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 2 raste të tjera për të cilat janë plotësuar kërkesë-paditë për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 1 rast në qarkun Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 5 raste në gjithë territorin, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 8 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 2 në qarkun Elbasan dhe 1 në Korçë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, në qarkun Durrës, i cili është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Berat, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, në qarkun Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Berat, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtimi i tokës”, në qarkun Durrës, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrimi i pronës”, 1 në qarkun Korçë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 rast në qarkun Elbasan, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 8 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.