Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 6 operacione, konkretisht për transportimin e kundërligjshëm të emigrantëve, kultivimin e bimëve narkotike, shfrytëzimin e prostitucionit, kapjen/ndalimin e 1 shtetasi në kërkim, armëmbajtjen pa leje dhe zbardhjen e djegies së qëllimshme të 3 automjeteve. Gjatë operacioneve u vunë në pranga 8 shtetas dhe 2 shtetas u proceduan në gjendje të lirë, si dhe u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë, një shumë parash në valuta të ndryshme, 1 makineri për numërimin e parave, pajisje elektronike, 3 automjete dhe 3 celularë.
Parandalohet 1 ngjarje e rëndë kriminale në Kavajë, arrestohet 1 shtetas dhe 1 tjetër u procedua në gjendje të lirë, si dhe u sekuestrua 1 armë zjarri kallashnikov.
Janë kapur/ndaluar 4 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.
Është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Tiranës për 1 shtetas, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas që kanë kundërshtuar urdhrin e punonjësit të Policisë dhe 1 shtetas i dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”. Është shpallur në kërkim 1 shtetas për veprën penale “Përndjekja”, si dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Braktisja e fëmijës së mitur”.
Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi ka kanosur me fjalë, për shkak të detyrës, në ambientet e zyrës së tij, kryeinspektorin e IMT-së në Gjirokastër. Si dhe 1 shtetas me detyrë përgjegjës sektori në një subjekt (shtypshkronjë e letrave me vlerë), pasi gjatë punës, punonjësi i tij ka dëmtuar gishtin e dorës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
U arrestua 1 shtetas dhe 1 tjetër u procedua në gjendje të lirë për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve. Ndërkohë, në Durrës po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, pasi në orët e para të mëngjesit, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në derën e një dyqani në pronësi të shtetasit R. R., është gjetur një sasi e vogël e dyshuar lëndë eksplozive e pashpërthyer. Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit/ëve.
Është arrestuar 1 shtetas për veprat penale “Dhunimi i banesës” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, pasi u kap në flagrancë duke qëndruar pa leje në banesën e një shtetaseje, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë. Nga kontrollet e kryera nga shërbimet e OSHEE-së, u konstatua se ky shtetas kishte kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar, 11 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje. Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve kundër mjedisit, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste në fushën e vjedhjes, me 1 autor të arrestuar, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas pasi, në ambientet e një restoranti, ka vjedhur 2 aparate celularë, si dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet lëndë narkotike.
Janë evidentuar 3 raste në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 20 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për mosdeklarim të të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi, trafikim të mjeteve motorike dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
