Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet policore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale:
-U finalizuan 3 operacione policore, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
-U kapën dhe u ndaluan 5 shtetas që ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve u goditën 9 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, kryeplaku i një fshati ku janë gjetur bimë narkotike të kultivuara.
Gjatë veprimeve për këto raste u sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe cannabis sativa, si dhe u asgjësuan bimë narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve kundër personit u evidentuan 19 raste, me 1 autor të arrestuar, 23 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit.
U arrestua një 29-vjeçar, pasi dyshohet se ka goditur me grusht një infermier të Qendrës Shëndetësore Fushë Krujë, për shkak të detyrës.
U shpall në kërkim një 60-vjeçar, shtetas i huaj, pasi dyshohet se ka goditur me grushte pronarin e një subjekti në Tiranë që jep automjete me qira dhe ka thyer derën e këtij subjekti.
U procedua në gjendje të lirë një 75-vjeçar, pasi dyshohet se ka kryer vepra të turpshme në publik, në Tiranë (video e publikuar në rrjetet sociale).
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e 3 shtetasve, të cilët dyshohet se, në ambientet e jashtme të një lokali në Vlorë, kanë goditur me grushte dhe me sende të forta 2 shtetas, të cilët morën mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, me 4 autorë të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, u plotësuan 12 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Elbasan/U arrestua një 39-vjeçar dhe u procedua në gjendje të lirë nëna e tij, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së tyre ndaj bashkëshortes së 39-vjeçarit, kjo e fundit është vetëdëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë). Shtetasja e dëmtuar u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Në fushën e krimeve kundër pronës u evidentuan 12 raste, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim, ndërsa për 3 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve hetimore u zbardhën 9 vjedhje të kryera më parë.
U shpall në kërkim një 44-vjeçar, pasi dyshohet se, në bashkëpunim me një shtetas të paidentifikuar, i kanë vjedhur me dhunë një shtetasi celularin dhe çelësat e automjetit.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare u evidentuan 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, u goditën 3 raste të prostitucionit, me 3 autore të proceduara në gjendje të lirë, dhe 1 rast i kontrabandës së mallrave, me 2 autore të proceduara në gjendje të lirë.
U procedua në gjendje të lirë një 32-vjeçare franceze, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirësë” dhe “Vetëgjyqësia”, pasi dyshohet se i ka mbajtur një shumë parash një shtetaseje franceze dhe e ka mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në subjektin e saj, me pretendimin se ajo i ka dëmtuar mjetin lundrues që ia kishte marrë me qira 32-vjeçares, në Sarandë.
Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Është arrestuar 1 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
U procedua në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, ndërsa 40 shtetas të tjerë u proceduan në gjendje të lirë për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e qarkullimit rrugor u arrestuan 10 shtetas dhe u proceduan penalisht 9 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. U arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 7 shtetas të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë një 27-vjeçar dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj një 47-vjeçari, pasi dje, në rrugën “Llazi Miho”, 27-vjeçari dyshohet se përplasi me motomjetin që drejtonte pa leje një fëmijë 10 vjeç, i cili më pas dyshohet se u përplas edhe nga automjeti që drejtonte 47-vjeçari. Ky i fundit u largua nga vendi i aksidentit, por u identifikua dhe u kap nga shërbimet e Policisë. I mituri po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Strukturat e Policisë Kufitare proceduan penalisht 1 shtetas, për trafikim të mjeteve motorike, dhe ndëshkuan me masë administrative 2 drejtues të mjeteve lundruese, për shkelje të perimetrit të sigurisë në plazhe.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimatin e plotë.
