Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike.

Si rezultat i veprimeve hetimore u finalizua 1 operacion për zbardhjen e vjedhjeve.

U kapën/ndaluan 5 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve u goditën 9 raste në të gjithë territorin e vendit, me 2 autorë të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë. Për këto raste u sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa.

Në fushën e krimeve kundër personit u evidentuan 9 raste, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

U ndaluan një 31-vjeçar i dyshuar për veprën penale “Ngacmimi seksual” dhe një 63-vjeçar, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi dyshohet se ka goditur me send të fortë, në kokë, një 25-vjeçar.

U arrestua shtetasi P. K., 63 vjeç, me detyrë drejtues teknik në një subjekt minerar në Bulqizë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi më datë 01.08.2026, u aksidentua gjatë punës dhe për pasojë humbi jetën punëtori, shtetasi I. K., 40 vjeç.

U shpallën në kërkim 2 shtetas (babë e bir), pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht një shtetas dhe motrën e tij. Si pasojë e dëmtimeve, kjo e fundit po merr mjekim në spital.

U procedua penalisht një 30-vjeçare pasi dyshohet se ka kanosur dhe fyer për shkak të detyrës, 2 mjekë, në ambientin e tyre të punës.

Janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, me 4 autorë të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Gjithashtu, u proceduan penalisht 2 shtetas (bashkëshortë), pasi dyshohet se për shkak të dhunës psikologjike në familje, vajza e tyre 15 vjeçe është vetëhedhur nga një lartësi pranë banesës. Ajo mori mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Në fushën e krimeve kundër pronës u evidentuan 26 raste, me 1 autor të arrestuar, 14 të proceduar në gjendje të lirë dhe 5 të shpallur në kërkim, ndërsa për 6 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjithashtu, u arrestua administratori i një lokali, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi pa leje në lokal dhe ka zënë hapësirën publike për të ushtruar aktivitetin e këtij subjekti.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve kundër mjedisit, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare u evidentuan 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve kibernetike/komjuterike, 1 rast me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për rastin tjetër po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Është arrestuar 1 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 31 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e qarkullimit rrugor u arrestuan 6 shtetas dhe u proceduan penalisht 3 të tjerë, pasi drejtonin automjete, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, u proceduan penalisht 5 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.

Strukturat e Policisë Kufitare kapën 2 shtetas në kërkim dhe proceduan në gjendje të lirë 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe trafikim të mjeteve motorike.

Interpol Tirana/U ekstradua nga Roma, shtetasi Sefer Selimaj, 42 vjeç, lindur në Tiranë, të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në vitin 2017, e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “Trafikim i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimatin e plotë.