Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u finalizuan 2 operacione për zbardhjen e vjedhjeve.

U kapën/ndaluan 8 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Njëri prej tyre është 20-vjeçari, i cili dy ditë më parë, në marketin e tij, goditi me përforcues grushti një punonjës të Policisë Bashkiake, për shkak të detyrës.

Në fushën e narkotikëve u goditën 10 raste në të gjithë territorin e vendit, me 1 autor të arrestuar, 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në kuadër të këtyre rasteve u sekuestruan lëndë të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe u asgjësuan bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve kundër personit u evidentuan 15 raste, me 1 autor të arrestuar, 12 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Po punohet për kapjen e një 57-vjeçari, i cili dyshohet se në ambientet e lokalit në pronësi të tij, në Sarandë, ka goditur me grusht një punonjës të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për shkak të detyrës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. Q., me profesion gazetar, shpallën në kërkim dhe vijojnë punën për kapjen e shtetases R. N., 33 vjeçe, banuese në Tiranë.
Shtetasja R. N. është shpallur në kërkim për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, pasi dyshohet se, për shkak të detyrës, ka goditur me telefon shtetasin E. Q., gazetar. Vijojnë veprimet procedurale nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë.

Janë evidentuar 14 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar, 11 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 17 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

U ndalua 1 shtetas i dyshuar për ngacmim seksual.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 5 raste, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër pronës u evidentuan 9 raste, me 2 autorë të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 të shpallur në kërkim.

U proceduan penalisht 2 shtetase të mitura, pasi kanë marrë mallra në një dyqan në një qendër tregtare dhe kanë tentuar të largohen pa kryer pagesën.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 autorë të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 36 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e qarkullimit rrugor u arrestuan 4 shtetas dhe u proceduan penalisht 8 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.

Gjithashtu, u arrestuan 2 shtetas dhe u proceduan penalisht 4 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.

U procedua penalisht 1 shtetas, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë Rrugore, duke i ofruar një shumë parash për të shmangur masën administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare kapën 2 shtetas në kërkim dhe proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandë mallrash.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe ruajtjen e plotë të anonimatit.

Tepelenë/Informacion paraprak

Rreth orës 00:30, në qytetin e Tepelenës, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet disa shtetasve, janë dëmtuar me sende të forta shtetasit A. B., 39 vjeç, E. B., 41 vjeç (vëllezër), dhe M. B., 46 vjeç (kushëriri i tyre), të tre banues në Tepelenë, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.