Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 2 operacione policore: 1 për kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar në Itali si pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve, dhe 1 për zbardhjen e rasteve të vjedhjes.

U kapën dhe u ndaluan 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve u goditën 16 raste në të gjithë territorin e vendit, me 4 autorë të arrestuar dhe 12 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Për këto raste u sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe u asgjësuan bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve kundër personit u evidentuan 10 raste, me 3 autorë të arrestuar dhe 14 të proceduar në gjendje të lirë.

U arrestua një 31-vjeçar, punonjës i Policisë Bashkiake, pasi dyshohet se, për shkak të detyrës, ka goditur me grusht eprorin e tij (shef sektori në Policinë Bashkiake Tiranë).

Gjithashtu, u proceduan penalisht 2 shtetas, pasi kanë goditur me grushte dhe kanë kanosur, për shkak të detyrës, një punonjës policie në shërbim, si dhe u procedua penalisht 1 shtetas tjetër, i cili ka kundërshtuar një punonjës policie.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar, 1 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 8 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Në fushën e krimeve kundër pronës u evidentuan 10 raste, me 1 autor të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim, ndërsa për 2 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

U identifikua, u kap dhe u vu në pranga një 41-vjeçar, i cili dyshohet se një ditë më parë, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, i ka marrë me dhunë një shumë parash një shtetasi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve.

Janë evidentuar 7 raste të krimeve kundër mjedisit, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare u evidentuan 4 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike u evidentuan 2 raste, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 2 shtetas për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë për posedim të armëve të ftohta.

U procedua penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi në subjektin e tij dyshohet se është dëmtuar aksidentalisht në këmbë, gjatë punës, një punëtor (kasap), i cili po merr mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar në gjendje të lirë 12 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e qarkullimit rrugor u arrestuan 2 shtetas dhe u proceduan penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 5 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.
U arrestua një 20-vjeçar, pasi dyshohet se një ditë më parë, në aksin rrugor “Ura e Gjolës–Bilaj”, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin V. D., 65 vjeç, i cili si pasojë humbi jetën.

Në zbatim të Kodit Rrugor, u ndëshkua me masë administrative 8 000 lekë drejtuesi i një automjeti, pasi në rrjete sociale u publikua një video ku shfaqej një shtetase duke kërcyer mbi automjetin e tij të ndaluar në një rrugë në Durrës.

Interpol Tirana
U ekstradua në Itali, një 32-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykatësi për Hetimet Paraprake i Firences, me vendimin e datës 13.08.2024, kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij, për veprat penale “Grup kriminal” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Strukturat e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim, të dënuar nga Gjykata e Durrësit, me 4 muaj burgim, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, si dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimatin e plotë.

Vlorë
Në lidhje me një video të publikuar dje, në rrjete sociale, ku shfaqet dhuna ndaj një shtetaseje të mitur, bëjmë me dije se pas publikimit të videos u kryen verifikimet dhe rezultoi se më datë 29.05.2026, një 13-vjeçare ka dhunuar një 15-vjeçare, për motive të dobëta. Materialet procedurale për rastin janë referuar në Prokurori, për vlerësim.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi dje, në plazhin e Radhimës, shtetasi A. P., 54 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak në breg të detit dhe për pasojë ka humbur jetën.

Pogradec/Informacion paraprak
Rreth orës 10:00, në fshatin Tushemisht, shtetasi K. Ç., 63 vjeç, duke kryer punime ndërtimi në banesën e tij, dyshohet se është dëmtuar aksidentalisht nga mjeti me të cilin punonte (gur fresibël) dhe si pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.