Policia e Shtetit/Apel për qytetarët, që të tregojnë kujdes gjatë përdorimit të aplikacionit WhatsApp

Policia e Shtetit apelon për kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë WhatsApp.

Policia e Shtetit informon qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp.

Mashtruesit dërgojnë linke me pretendime të ndryshme, si p.sh. për të votuar në një konkurs ose për të konfirmuar një veprim. Më pas, i kërkohet përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.

Policia e Shtetit këshillon qytetarët:

* Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur.
* Mos ndani kurrë kodin e verifikimit të WhatsApp me askënd.
* Aktivizoni funksionin Two-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacionin WhatsApp.
* Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar atë dhe njoftoni personat e kontakteve tuaja.

Mbroni të dhënat tuaja. Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike.