Sot, rreth orës 06:00, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu, babanë e ish të dashurës së tij, plagosi nënën e saj, mori peng ish-të dashurën dhe u largua me automjet nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale “RENEA”.
Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish të dashurën, të cilën e mbante peng.
Falë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Negociatat me autorin vijojnë, me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit.
