Rinas
Fluksi i lartë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, inspektuan masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik.
Në kulmin e sezonit turistik, kur aeroporti ndërkombëtar i Rinasit po përballet me fluksin më të lartë të hyrje-daljeve në vend, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilluan një inspektim të përbashkët për të ndjekur nga afër zbatimin e masave të marra nga strukturat e Policisë Kufitare dhe të Doganës, për përballimin e këtij fluksi.
Gjatë inspektimit u vlerësua angazhimi maksimal i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe i administratës doganore, të cilët po përballojnë me profesionalizëm përpunimin e rreth 50 000 deri në 56 000 pasagjerëve në ditë, duke garantuar njëkohësisht lëvizjen e shpejtë të qytetarëve dhe turistëve, si dhe standarde të larta sigurie.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, theksoi se ky rezultat është bërë i mundur falë një sërë masash organizative dhe teknike të marra nga Komisariati i Policisë Kufitare Rinas. Gjatë sezonit turistik, të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në regjim shërbimi 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e punonjësve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
Gjithashtu, është ulur nga 16 në 12 vjeç mosha minimale e përdoruesve të sistemit të kontrollit automatik e-Gate, duke rritur ndjeshëm numrin e pasagjerëve që përpunohen në mënyrë automatike dhe duke shkurtuar kohën e pritjes. Paralelisht, është përmirësuar dhe përditësuar sistemi TIMS, ndërsa janë riparuar ose zëvendësuar me pajisje të reja kompjuterët, lexuesit e dokumenteve dhe pajisje të tjera të kontrollit kufitar, çka ka rritur më tej shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit.
Krahas menaxhimit të fluksit, vëmendje e veçantë i është kushtuar parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare, me fokus luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.
Drejtues Madhor Skender Hita siguroi se Policia Kufitare është angazhuar maksimalisht për të garantuar përpunim të shpejtë dhe të sigurt të pasagjerëve, ndërsa paralelisht vijojnë kontrollet e bazuara në analizën e riskut për goditjen e çdo aktiviteti kriminal. Ai nënvizoi se bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka sjellë rezultate konkrete në goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm, duke garantuar një nivel të lartë sigurie në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas.
Drejtues Madhor Hita theksoi se Policia e Shtetit mbetet plotësisht e përkushtuar për t’i ofruar çdo qytetari dhe turisti, siguri, ndihmë dhe shërbim cilësor gjatë hyrjes dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm me Policinë e Shtetit, duke theksuar se të dyja institucionet janë në shërbim 24 orë në 24 për t’iu përgjigjur fluksit të shtuar të sezonit turistik.
Ai u shpreh se administrata doganore është angazhuar për të garantuar lëvizjen sa më të shpejtë të qytetarëve, pa cenuar kontrollet e nevojshme për çdo mall që hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë, si në sektorin e pasagjerëve, ashtu edhe në atë të kargos.
Drejtuesit e dy institucioneve theksuan se bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional dhe masat e shtuara operative kanë bërë të mundur përballimin me sukses të fluksit rekord në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, duke garantuar njëkohësisht sigurinë kufitare, luftën ndaj krimit ndërkufitar dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për çdo qytetar e turist që hyn ose del nga Shqipëria.









