Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

 Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale janë finalizuar operacione policore për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e kultivimit të bimëve narkotike, armëmbajtjes pa leje, vjedhjes dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

 Në fushën e narkotikëve janë goditur 7 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar doza të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

 Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 3 autorë të arrestuar, 8 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.

 U ndaluan 2 shtetas të shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës u ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 27.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi J. M.

 Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat janë zbardhur 11 raste vjedhjeje të ndodhura më parë.

 Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar, 8 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 14 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

 Janë evidentuar 2 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

 Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i organizimit të lojërave të fatit, ku autori është arrestuar në flagrancë.

 Janë arrestuar 2 shtetas për kundërshtim të punonjësve të Policisë dhe mosbindje ndaj urdhrave të tyre, si dhe 2 shtetas që kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

 Janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

 Janë arrestuar 11 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 9 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

 U arrestua një 18-vjeçar, pasi dje, në Unazën e Madhe, automjeti që ai drejtonte u përplas me 2 automjete të tjera. Si pasojë e aksidentit u dëmtuan dy drejtueset e automjeteve dhe një pasagjer, të cilët po marrin mjekim në spital.

 Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore Tiranë, duke u ofruar para për të shmangur ndëshkimin për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.

 Strukturat e Policisë Kufitare kanë kapur 1 shtetas në kërkim dhe kanë proceduar penalisht 1 shtetas për kontrabandë mallrash.

 Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.

 

Kuçovë / Në fshatin Drizë, Kuçovë, në një guvë është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit G. G., 58 vjeç, banues në fshatin Drizë, i cili prej 3 ditësh kishte humbur kontaktet me familjarët.

 Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe, paraprakisht, dyshohet se vdekja mund të jetë shkaktuar nga asfiksia për shkak të pranisë së gazrave në guvë.

 Trupi i pajetë është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekspertimit mjekoligjor dhe përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

 Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.