DVP Vlorë/Finalizohen në 24 orë, 3 operacione kundër veprimtarive të ndryshme kriminale

Policia e Vlorës/Aksione të vazhdueshme, në bazë të denoncimeve të qytetarëve, hetimeve, kontrolleve dhe punës operative, kundër paligjshmërive, në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Finalizohen në 24 orë, 3 operacione kundër: armëmbajtjes pa leje, vjedhjes me dhunë dhe transportimit të shtetasve që synojnë të kalojnë ilegalisht, në Greqi.

Arrestohen 3 shtetas, prej të cilëve: njëri lëvizte me taksi, i armatosur me pistoletë; tjetri vodhi 1 automjet të OShEE-së, pasi dhunoi punonjësin që e drejtonte, ndërsa shtetasi i tretë transportonte 5 shtetas nga Shqipëria dhe Kosova, që kishin pengesa për lëvizjen në zonën “Schengen”.

Sekuestrohen arma e zjarri (pistoletë) me krehrin dhe me fishekët, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe automjeti me të cilin transportoheshin shtetasit.

-Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Pasagjeri”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 26 vjeç, banues në fshatin Babrru, Tiranë. Gjatë kontrollit fizik, kryer pas ndalimit të taksisë me të cilën lëvizte, 26-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me krehër dhe me fishekë, që posedohej pa leje.

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, finalizuan operacionin e koduar “Thirrja”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi H. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Vanë. Ai u lokalizua dhe u kap pak orë pas kallëzimit të një punonjësi të OShEE-së, se një shtetas e kishte dhunuar për t’i vjedhur automjetin e kompanisë, i cili u gjet dhe iu kthye subjektit, në zbatim në urdhrit të prokurorit. Më tej, gjatë kontrollit fizik, shtetasit H. Z. iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë).

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë finalizuan operacionin e koduar “Barriera”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë, në afërsi të PKK Qafë Botë, shtetasi M. Q., 30 vjeç, banues në Belsh, pasi transportonte me automjeti tip “Volkswagen”, 5 shtetas (4 nga Shqipëria, 1 nga Kosova), të cilët synonin të kalonin ilegalisht, në Greqi, sepse kishin pengesa për lëvizjen në zonën “Schengen”.

Materialet procedurale iu referuan prokurorive, për veprime të mëtejshme.