Policia e Tiranës, kontrolle për nivelin e zhurmave në zonën e ish-Bllokut

Policia e Tiranës, kontrolle për nivelin e zhurmave në zonën e ish-Bllokut.

Në vijim të masave sensibilizuese, Policia ka organizuar takime informuese me administratorë subjektesh dhe persona fizikë, veprimtaria e të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, kryesisht në zonën e ish-Bllokut.

Njëkohësisht, strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, bazuar në hartëzimin e zonave me ndotje akustike, kanë zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në terren.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, me matës të zhurmës janë testuar ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonën e ish-Bllokut, për të verifikuar respektimin e nivelit kufi të lejuar të zhurmës, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.

Matjet e kryera, në përputhje me procedurën standarde të parashikuar për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Paralelisht me matjen e nivelit të zhurmës, strukturat e Policisë kanë kontrolluar edhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Tiranës mbetet e angazhuar për garantimin e rendit publik dhe qetësisë për qytetarët dhe vizitorët, duke vijuar kontrollet dhe monitorimin në zonat me aktivitet të lartë.

Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast shkeljeje, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.

#PoliciaeTiranës #QetësiDheSiguri #RespektoLigjin #NëShërbimTëQytetarëve