Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe aksionet e njëpasnjëshme, bazuar në kontrolle, informacione të siguruara në rrugë operative dhe hetime, me objektiv goditjen e paligjshmërive dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Si rezultat, janë finalizuar 4 operacione: kundër posedimit/shitjes së armëve, vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë operacioneve janë vënë në pranga 4 shtetas, si dhe janë sekuestruar 8 armë dhe 1 automjet.
Gjithashtu, janë kapur/ndaluar 6 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 7 raste në të gjithë territorin. Është vënë në pranga 1 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas, si dhe janë sekuestruar doza të lëndëve narkotike Cannabis Sativa dhe kokainë. Për 8 raste të tjera në këtë fushë punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste, me 1 autor të dyshuar të vënë në pranga, 11 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim. Për një rast tjetër në këtë fushë punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Gjithashtu, janë arrestuar 2 shtetas dhe 1 është shpallur në kërkim për plagosje me armë të ftohta.
Janë evidentuar 3 raste të përndjekjes, me 1 shtetas të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes. Katër shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për 4 raste të tjera në këtë fushë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të autorësisë dhe rrethanave të tyre.
Gjithashtu, janë ndaluar 2 të mitur, pasi dyshohet se i kanë vjedhur me forcë varësen e floririt një shtetasi.
Janë evidentuar 16 raste të dhunës në familje, me 8 autorë të dyshuar të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 9 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 6 autorë të dyshuar të proceduar në gjendje të lirë. Për një rast tjetër në këtë fushë punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 10 raste, me 11 autorë të dyshuar të proceduar në gjendje të lirë.
Për vepra të ndryshme penale janë proceduar në gjendje të lirë 12 shtetas dhe është arrestuar 1 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 40 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, pasi shfaqet në një video të publikuar në portalin “JOQ”, duke keqtrajtuar qenin e tij.
Në fushën e qarkullimit rrugor janë arrestuar 7 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Më tej, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 të tjerë, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi G. H., punonjës i Policisë Bashkiake, pasi dje, gjatë patrullimit me automjetin e Policisë Bashkiake, në rrugën “Hajredin Haxhiraj”, në Vlorë, ka përplasur një 13-vjeçar, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë kapur 1 shtetas në kërkim, si dhe kanë goditur 2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit, për të cilat janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas.
Informacione paraprake
Shkodër / Dje, në lumin e Shalës, dyshohet se, si pasojë e erës së fortë, janë shkëputur nga toka çadra dhe shezlongë, të cilët kanë dëmtuar 2 turiste spanjolle, teksa qëndronin në një restorant aty pranë. Të dyja ndodhen në kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Vau i Dejës / Rreth orës 04:00, në fshatin Shelqet, dyshohet se në oborrin e banesës së shtetasit M. F. është vendosur një sasi e vogël lënde të dyshuar plasëse, pa shkaktuar dëme materiale. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Elbasan / Dje, është dërguar për mjekim në spital një 49-vjeçar, i cili dyshohet se, në kushte të rënduara psikologjike, ka tentuar të dëmtojë veten. 49-vjeçari ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe ruajtjen e anonimatit të tyre.
