Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe aksionet e njëpasnjëshme, bazuar në kontrolle, informacione të siguruara në rrugë operative dhe hetime, me objektiv goditjen e paligjshmërive dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Si rezultat i këtyre veprimeve, janë kapur/ndaluar 10 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale.

Gjithashtu, Policia e Elbasanit ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës për vënien në pranga të shtetasit Xh. B., i dënuar me 6 vjet burgim nga Gjykata e Apelit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 6 raste në të gjithë territorin, është arrestuar 1 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas, si dhe janë sekuestruar doza të lëndëve narkotike Cannabis Sativa dhe Kokainë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të dyshuar të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë.

Në Krujë është arrestuar në flagrancë një shtetas për plagosje me mjet prerës, si dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë.

Në Sarandë janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, pasi dyshohet se kanë goditur me grushte, një punonjës të Policisë Bashkiake.

Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, me 1 autor të dyshuar të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë. Njëri prej punonjësve të dëmtuar në këto raste është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tjetri vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Janë evidentuar 2 raste të shpërdorimit ose pushtimit të tokës, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të vjedhjes, me 3 autorë të dyshuar të arrestuar, 2 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Për 2 raste të tjera në këtë fushë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të autorësisë dhe rrethanave të tyre.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të dyshuar të arrestuar, 7 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 18 kërkesëpadi për urdhra mbrojtjeje.

Janë evidentuar 11 raste të krimeve kundër mjedisit, me 1 shtetas të arrestuar dhe 10 autorë të dyshuar të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të dyshuar të arrestuar dhe 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Për vepra të ndryshme penale janë arrestuar 2 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 18 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas.

Në fushën e qarkullimit rrugor:

-janë arrestuar 9 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 të tjerë, pasi drejtonin mjete, në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi;

-janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 të tjerë, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare:

-kanë kapur 5 shtetas të shpallur në kërkim;

-kanë goditur 2 raste të kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 të proceduar;

-iu kanë shkuar në ndihmë, në 2 raste, 9 shtetasve të huaj të cilët u gjendën në vështirësi gjatë lëvizjes me mjete lundruese.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe ruajtjen e anonimatit të tyre.