Tiranë/Policia e Shtetit shpëton dy turiste holandeze që kishin mbetur në Shpellën e Pëllumbasit.
Pas marrjes së njoftimit se dy turistet kishin mbetur të bllokuara në zonën e “Shpellës së Pëllumbasit”, pasi njëra prej tyre kishte dëmtuar këmbën si pasojë e një rrëzimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, organizuan operacionin e kërkim-shpëtimit.
Pas lokalizimit në një terren të vështirë, shërbimet e Policisë bënë të mundur nxjerrjen e dy turisteve nga Holanda, të cilat hasën vështirësi gjatë eksplorimit të natyrës në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, në fshatin Pëllumbas.
Punonjësit e Policisë i dhanë ndihmën e parë turistes së dëmtuar dhe, në bashkëpunim me shërbimin e ambulancës, e transportuan në Spitalin e Traumës për trajtim mjekësor, ndërsa turistja tjetër u shoqërua në një zonë të sigurt.
Dy turistet nga Holanda falënderuan shërbimet e Policisë dhe strukturat mbështetëse për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe ndihmën e ofruar.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke i ftuar ata që për çdo problematikë apo situatë emergjente të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
