Si rezultat i angazhimit maksimal dhe reagimit në kohë të strukturave të Policisë së Shtetit, janë finalizuar 3 operacione policore, konkretisht:
– Një operacion policor i koduar “Zbulimi”, për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes ku një 18-vjeçar qëlloi me armë zjarri drejt një servisi celularësh që ishte i mbyllur. Ai u kap dhe u vu në pranga, si dhe u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.
– Një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Janë arrestuar 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 kryeplak fshati. Janë sekuestruar dhe asgjësuar 2098 bimë/fidanë kanabisi.
– Një operacion për kapjen e autorit të dyshuar për tentativë vrasjeje, ku u vu në pranga autori i dyshuar dhe u sekuestrua automjeti i përdorur në ngjarje.
Gjithashtu, janë kapur dhe ndaluar 2 shtetas të tjerë, të shpallur në kërkim për vjedhje dhe moskallëzim krimi.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë dhe fidanë narkotikë kanabisi.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 3 autorë të arrestuar, 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 autorë të shpallur në kërkim për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Është arrestuar 1 shtetas, me detyrë administrator i një subjekti, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dje një punonjës, gjatë punës, ka rënë aksidentalisht nga një lartësi dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 2 të shpallur në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar, 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Është arrestuar 1 shtetas për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur”, si dhe 1 shtetas për veprën penale “Përndjekja”.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, për të cilin po punohet për identifikimin e autorit.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes, me 1 autor të arrestuar dhe 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë arrestuar 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin mjetin në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa 1 shtetas është shpallur në kërkim, pasi është larguar nga vendi i aksidentit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 6 shtetas të dëmtuar, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Është arrestuar 1 shtetas, 1 është shpallur në kërkim dhe 36 shtetas janë proceduar penalisht, për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar 2 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandë mallrash.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe ruajtje të anonimatit.
