Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit     

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 3 operacione, 2 prej tyre në fushën e krimeve ekonomiko-financiare (mashtrim, fshehje të ardhurash) dhe 1 për kapjen e një shtetasi në kërkim për plagosje. U sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 1 armë e ftohtë (thikë), sasi Kokaine, pajisje kompjuterike dhe shuma parash, një pjesë e tyre e dyshuar e falsifikuar.

Janë kapur 10 shtetas që ishin në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krime kundër personit dhe pronës.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 18 raste në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar dhe 12 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. U asgjësuan bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 3 autorë të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë arrestuar 2 shtetas të dyshuar për dhunë në familje dhe heqje të paligjshme të lirisë, si dhe 1 shtetas i dyshuar për vepra të turpshme.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas i dyshuar për dhunë në familje, i cili gjatë shoqërimit, ka kanosur punonjësit e Policisë, me mjet prerës (thikë).

Është evidentuar 1 rast në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 8 raste, me 1 autor të arrestuar, 2 të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë zbardhur 4 raste të vjedhjes (2 prej tyre të kryera me anë të kanosjes me armë) dhe 2 raste të shkatërrimit të pronës, janë identifikuar/kapur 5 autorë të dyshuar.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 autorë të arrrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 1 autor të arrestuar.

Janë evidentuar 2 raste të mosbindjes ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë dhe 1 rast i kanosjes për shkak të detyrës, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas që kanë kryer veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, si dhe po punohet për kapjen e 2 shtetasve që kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Janë arrestuar 6 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 11 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 6 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 7 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 18 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1, për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 4 shtetas, për modeklarim të shumve monetare dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Janë sekuestruar 44 000 euro dhe 9000 paundë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.

Fushë-Arrëz/Informacion paraprak

Më datë 17.06.2026, rreth orës 08:00, në fshatin Arst, në rrugë, dyshohet se 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta, shtetasit S. N., 55 vjeç dhe B. N., 51 vjeçe (bashkëshortë), banues në fshatin Arst.

Si pasojë, dy shtetasit kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.