15 Qershor – Dita Ndërkombëtare e Parandalimit të Krimeve Kibernetike

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit i bashkohet iniciativës ndërkombëtare për shënimin e 15 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Parandalimit të Krimeve Kibernetike, një ditë e dedikuar rritjes së ndërgjegjësimit dhe promovimit të sjelljes së përgjegjshme në hapësirën digjitale.

Në një botë gjithnjë e më të lidhur përmes teknologjisë, siguria kibernetike nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve ligjzbatuese, por edhe e çdo qytetari, biznesi, prindi, mësuesi dhe përdoruesi të internetit. Veprimet tona në mjedisin online kanë ndikim real dhe mund të kontribuojnë në parandalimin ose nxitjen e veprimtarive kriminale.

Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se veprime të tilla si: hyrja e paautorizuar në sisteme kompjuterike, mashtrimet online dhe vjedhja e identitetit, hpërndarja e programeve keqdashëse (malware), vjedhja, përdorimi ose publikimi i paligjshëm i të dhënave personale, shpërndarja apo posedimi i përmbajtjeve të paligjshme në internet dhe përbëjnë vepra penale dhe ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik, në forcimin e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe në promovimin e edukimit digjital dhe kulturës së sigurisë kibernetike.

Në këtë ditë, ftojmë qytetarët, institucionet, bizneset dhe veçanërisht të rinjtë të informohen mbi rreziqet në internet, të përdorin teknologjinë me përgjegjësi dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.

Informohu! Vepro me përgjegjësi! Respekto ligjin edhe online!

Së bashku mund të kontribuojmë për një internet më të sigurt për të gjithë.

#InterCOP#KrimiKibernetik#PoliciaeShtetit#CyberSecurity#CyberAwareness#InternetISigurt