Lezhë
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë Drejtues Arben Nasufi, konferencë për mediat, për rezultatet e punës së strukturave të DVP Lezhë, gjatë muajit maj
Të nderuar qytetarë,
të nderuar përfaqësues të medias,
ju kemi ftuar sot në këtë konferencë, e cila është pjesë e angazhimit të Policisë së Shtetit për të ndërtuar një marrëdhënie më të hapur dhe më të afërt me ju dhe me qytetarët, përmes një komunikimi të vazhdueshëm, transparent dhe të drejtpërdrejtë, nëpërmjet të cilit do t’ju prezantojmë rezultatet e arrira nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, gjatë muajit të kaluar, veprimet e ndërmarra për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sfidat që shoqërojnë përmbushjen e detyrave tona në shërbim të komunitetit.
Garantimi i sigurisë në institucionet arsimore dhe qarkullimin rrugor, lufta kundër kultivimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, goditja e rasteve të armëmbajtjes pa leje, lokalizimi dhe arrestimi i personave në kërkim, goditjet kundër trafiqeve të paligjshme, goditja e përshtatjes së ambienteve për lojëra fati, reduktimi i veprave penale kundër pronës, rritja e fuqisë zbuluese, si dhe zbardhja dhe ndëshkimi i krimeve mjedisore, mbeten në fokus të objektivave të punës.
Njëkohësisht, mbetemi të përkushtuar ndaj trajtimit të konflikteve, parandalimit dhe trajtimit të rasteve të dhunës në familje, reagimit të menjëhershëm dhe profesional në çdo situatë, si dhe ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve në kohë reale, duke iu ofruar një shërbim cilësor e të paanshëm për ta, përmes rritjes së standardeve të përformancës, komunikimit efektiv dhe zbatimit të ligjit me integritet dhe profesionalizëm.
Fillimisht do ta nis me rezultatet e punës së strukturave policore Lezhë, të arrira gjatë muajit maj, dhe më pas do jem i hapur për pyetjet mbi çështjet me interes për ju, ndërsa në fund do ta mbyll këtë komunikim, me përcjellje mesazhi te qytetarët, nga ana jonë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit për rritjen e rendit dhe sigurisë, për një komunitet të përbashkët të sigurt.
Gjatë muajit maj janë evidentuar dhe referuar në Prokurori 142 raste të veprave penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 132, konkretisht zbulueshmëria është në masën 93%. Për këto vepra penale janë identifikuar 145 autorë të dyshuar në total, nga të cilët 17 janë arrestuar/ndaluar, 113 autorë të dyshuar janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor është shpallur në kërkim.
Krahasuar me muajin e kaluar, kemi 10 vepra penale më shumë të evidentuara si dhe rritje të zbulueshmërisë me 1.5 %, dhe me 6 autorë më shumë të identifikuar të implikuar.
Janë finalizuar 6 operacione policore të cilat janë ndjekur me metoda speciale hetimi për periudha kohore të ndryshme deri në finalizimin e tyre dhe konkretisht:
• 2 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e organizimit të lotarive të palejuara;
• 2 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike;
• 1 operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave dhe zonave përreth.
• 1 operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të tregut informal të këmbimeve valutore, kryesisht të ushtrimeve pa licencë.
Gjatë hetimeve të këtyre veprave penale në total gjatë muajit, duke përfshirë edhe operacionet e zhvilluara, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
5548 fidanë dhe bimë narkotike kanabis sativa;
Rreth 1 kilogram lëndë narkotike kanabis sativa;
Lëndë narkotike kokainë;
2 automjete të trafikuara, të shpallura në kërkim ndërkombëtar;
1 armë zjarri pistoletë;
4 armë të ftohta (thika);
Makineta për lojëra fati, letra bixhozi dhe tavolina pokeri;
Vlera monetare: 65 mijë euro, 6 milion lekë të rinj, 12 mijë dollarë dhe 4 mijë paunde;
9 automjete të përfshira në kryerjen e veprave penale;
Lëndë drusore e prerë në mënyrë paligjshme;
Materiale të tjera që i shërbejnë hetimeve.
Në vijim të operacioneve policore për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve të mirëkoordinuara në terren, janë kapur dhe ndaluar 6 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike ka vijuar dhe mbetet një prioritet i punës sonë, duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme në ambiente të hapura e të mbyllura, përmes grupeve të posaçme në terren, si dhe me përdorimin e pajisjeve teknologjike, përfshirë monitorimin me dronë dhe kontrollin nga ajri në bashkëpunim me Guardia di Finanza dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë muajit maj janë evidentuar 9 raste, me 9 autorë të identifikuar të implikuar, gjatë të cilave janë asgjësuar 5548 fidanë dhe bimë narkotike kanabis sativa.
Në vijim të kësaj lufte, dy ditë më parë duke përdorur metoda speciale të hetimit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i një shtetasi në Mirditë, i cili posedonte 2 mijë fara të bimës narkotike kanabis sativa, të destinuara për shitje dhe kultivim.
Gjithashtu, mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i krimeve mjedisore, si dhe atyre identifikimi dhe nxjerrja përpara përgjegjësisë penale e shtetasve që cenojnë regjimin juridik të tokës, ka qenë në fokus të punës sonë, duke ushtruar kontrolle në bashkëpunim me inspektoriatet përkatëse, si rezultat i të cilave janë evidentuar 10 raste, me 10 autorë të implikuar.
Një pritoritet tjetër kryesor i punës tonë, është dhe ndjekja në dinamikë dhe trajtimi ligjor i konflikteve të ndryshme, duke marrë masa për mospërshkallëzimin e tyre në ngjarje kriminale. Si rezultat, gjatë muajit maj, janë trajtuar 338 konflike.
Vëmendje të shtuar shërbimet policore kanë patur edhe për rastet e konstatuara të dhunës në familje. Gjatë muajit maj, janë evidentuar 6 raste, për të cilat janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe janë referuar materialet në Prokurori. Gjithashtu, janë plotësuar 4 urdhra mbrojtjeje, të cilat janë referuar në Gjykatë.
Duke qenë se jemi në fillim të sezonit turistik veror, një periudhë e cila shoqërohet me rritje të fluksit të vizitorëve dhe aktiviteteve publike dhe rritje të fluksit të automjeteve, njëkohësisht edhe në periudhën e pelegrinazhit në Kishën e “Shna Ndout”, në Laç, Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike “UNUM”, në Shëngjin, si dhe zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme sportive dhe kulturore, Policia e Lezhës ka qenë e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve janë hartuar dhe zbatuar plane të detajuara shërbimi me masat e nevojshme, duke rritur prezencen policore në terren, forcuar kontrollet dhe monitorimin e situatës, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tyre dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për qytetarët.
Gjithashtu, në funksion të mbarëvajtjes së sezonit veror dhe garantimit të sigurisë së pushuesve, Policia e Lezhës do të bashkëpunojë ngushtë me Stacionin e Policisë Kufitare Shëngjin për monitorimin e vijës bregdetare dhe kontrollin e mjeteve lundruese, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të shkeljes së ligjshmërisë, si dhe çdo shkelje tjetër që cënon sigurinë në vijën bregdetare.
Me rritjen e fluksit të lëvizjes për shkak të sezonit turistik veror, është intensifikuar monitorimi inteligjent i akseve rrugore nëpërmjet mjeteve teknologjike. Si rezultat, Policia Rrugore ka konstatuar 29 raste të drejtuesve të mjeteve, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë vendosur 6236 masa administrative.
Pavarësisht këtyre masave, gjatë muaji maj kanë ndodhur 10 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën 2 shtetas. Për këto raste janë kryer veprimet e nevojshme procedurale dhe materialet janë referuar në Prokurori.
Pavarësisht rezultateve të arrira, mbeten ende problematika që kërkojnë vëmendje e angazhim të shtuar:
Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike;
Siguria rrugore kryesisht në drejtim të shpejtësisë tej normave të lejuara dhe drejtimit të mjeteve të dehur ose pa leje drejtimi;
Goditja e rasteve të armëmbajtjes pa leje;
Siguria e rendit dhe qetësisë publikë në zonat turistike.
Për adresimin e këtyre problematikave, shërbimet e Policisë kanë shtuar monitorimin, kontrollet dhe praninë në terren, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo paligjshmërie .
Faleminderit!
Tani jemi të hapur për pyetjet dhe interesimin tuaj në funksion të transparencës dhe informimit të drejtë të publikut.
Ju falënderoj për pyetjet, interesimin dhe bashkëpunimin tuaj.
Në përfundim, në emër të të gjitha strukturave të Policisë së Lezhës, dua të siguroj qytetarët se mbetemi maksimalisht të angazhuar për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, si dhe për garantimin e rendit publik.
Njëkohësisht, sigurojmë qytetarët, pushuesit dhe turistët se Policia Kufitare, Policia Kriminale, Policia Rrugore, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në terren, për të garantuar sigurinë dhe reaguar me shpejtësi ndaj çdo problemi në territorin e qarkut Lezhë.
Një apel të veçantë, për mbarëvajtjen e sezonit veror që sapo ka nisur, dua t’u drejtoj qytetarëve, operatorëve turistikë, administratorëve të plazheve dhe çdo subjekti që ushtron aktivitet gjatë sezonit veror, që të respektojnë ligjin dhe standardet e sigurisë, pasi çdo shkelje që cenon jetën, shëndetin apo sigurinë e qytetarëve do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në përputhje me ligjin.
Po ashtu, ftoj qytetarët dhe median të vijojmë bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie apo çdo situatë që cenon sigurinë publike.
Ju garantojmë se çdo informacion, denoncim apo telefonatë do të trajtohet menjëherë me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe seriozitet.
Ju faleminderit.
