Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit.

Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin kanë vijuar kontrollet, hetimet dhe operacionet kundër veprimtarive kriminale.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 4 operacione policore të koduara “Administratori”, “Zonat”, “PlayStation” dhe “Shëtitësi”, prej të cilëve 3 në fushën e goditjes së veprimtarive kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, si dhe 1 për zbardhjen e një sërë vjedhjesh në banesa, dyqane, markete dhe objekte kulti.

Gjatë këtyre operacioneve janë vënë në pranga 5 shtetas, është sekuestruar një armë zjarri, rreth 1.1 kg heroinë, dhjetëra doza kanabis, kokainë dhe heroinë, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Janë kapur 5 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste në të gjithë territorin e vendit, me 6 autorë të arrestuar dhe 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar sasi të lëndëve të ndryshme narkotike, heroinë, kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste, me 3 autorë të arrestuar, 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 autorë të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 5 autorë të arrestuar dhe 1 autor të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 3 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 9 raste, me 4 autorë të arrestuar, 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 10 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 autorë të arrestuar dhe 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e krimeve kibernetike dhe vijon puna për identifikimin e autorëve, kryesisht për raste të keqpërdorimit të rrjeteve sociale.

Janë arrestuar 8 shtetas pasi drejtonin automjetet në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 12 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas për vepra të tjera penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar me masë administrative 500 000 lekë të rinj drejtuesin e një mjeti lundrues që shkeli perimetrin e sigurisë dhe kanë proceduar penalisht 5 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim dokumentesh.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe ruajtje të anonimatit