Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 3 operacione të koduara “Enigma”, “Qëllimi” dhe “Administratori”, për zbardhjen e një vrasjeje në familje, të një rasti të heqjes së paligjshme të lirisë me qëllim detyrimin për të vjedhur një shumë parash, si dhe për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjatë operacioneve u vunë në pranga 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, si dhe u sekuestruan armë zjarri, lëndë narkotike dhe prova të tjera materiale.

Janë kapur 6 shtetas që ishin në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale, si dhe 2 shtetas në kërkim ndërkombëtar, konkretisht:

-Një 38-vjeçar polak u kap në PKK Morinë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet polake, për organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.

-Një 54-vjeçar, banues në Laç, i dënuar në Itali me mbi 7 vjet burgim për trafikim të lëndëve narkotike dhe kanosje, u kap në Kurbin nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë fazës 95 të operacionit të koduar “Operacionalja”.

Nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit “The Wanted”, është ekstraduar nga Italia shtetasi S. K., 44 vjeç, pjesëtar i një grupi kriminal, i cili akuzohet nga GJKKO se ka bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit për vrasjen e një shtetasi në vitin 2020, për motive gjakmarrjeje, si dhe për fshehjen e kufomës në Mamurras.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste në të gjithë territorin, me 7 autorë të arrestuar dhe 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar sasi të lëndëve të ndryshme narkotike, si dhe janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste, me 6 autorë të arrestuar, 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar, 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesëpadi për urdhër-mbrojtjeje.

Janë evidentuar 5 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 8 raste, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Janë evidentuar 12 raste të krimeve kundër mjedisit, me 12 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve kibernetike, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Janë arrestuar 6 shtetas pasi drejtonin automjetet në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe po punohet për identifikimin e drejtuesit të një automjeti, i cili ka shkaktuar një aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Janë proceduar penalisht 10 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 6 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim të dokumenteve.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.

Vlorë/Informacion paraprak

Mbrëmë, rreth orës 21:35, në autostradën Fier–Vlorë, është konstatuar një shtetas i aksidentuar, i cili ka humbur jetën. Për shkak të dëmtimeve të rënda, identifikimi i viktimës nuk është bërë ende i mundur.
Drejtuesi i automjetit, së bashku me automjetin, është larguar nga vendi i aksidentit dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e drejtuesit dhe të automjetit, si dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 03:35, në fshatin Rrilë, Lezhë, në portën e jashtme të banesës në pronësi të shtetasit M. M., ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.